Në Selanik është mbajtur Samiti i vendeve të Ballkanit ku u diskutua për forcimin e sigurisë, marrjen e masave për refugjatët dhe bashkëpunimin mes vendeve në fusha të ndryshme.

Në këtë takim ku ka qenë edhe pala shqiptare, është diskutuar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, në një prononcim të shkurtër për televizionin “Star” ka deklaruar se çfarë i shprehu homologu i tij shqiptar gjatë samitit në Selanik.

“Jetojmë në paradoksin që zgjohemi në mëngjes me muzikë greke për të shkuar me energji në punë dhe më pas na shajnë. Pastaj dalin për kafe dhe hanë një sufllaqe greke dhe në fund të ditës përsëri flasin keq për ne. Ekziston një paradoks”.

Kështu është shprehur ministri Kotzias për raportet mes shqiptarëve dhe grekëve.

Në Samitin e Selanikut, Shqipëria dhe Greqia kanë biseduar në veçanti për bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe të repartit të zjarrfikësve. Gjatë verës, vendi ynë u përball me zjarre të shumta, ku u kërkua ndihma e Greqisë përmes avionëve që kontribuuan në fikjen e flakëve në jug të vendit.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë nga Maqedonia dhe Bullgaria. /

tvklan.al