Shkak, situata pas tërmetit të 26 Nëntorit
Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias shtyu vizitën e tij të planifikuar për sot në Tiranë. Shkak është bërë situata e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Tërmeti i 26 nëntorit ka ndikuar edhe axhendën diplomatike, duke shtyrë për më vonë vizitën e ministrit të jashtëm grek në Tiranë, që ishte programuar për këtë të hënë. Në këtë vizitë do të diskutohej edhe koordinimi i lëvizjeve në prag të samitit të dhjetorit të BE-së, kur është planifikuar të diskutohet propozimi francez për një rishikim të procesit të zgjerimit.
Athina zyrtare e mirëpret propozimin e Parisit me kusht që ky diskutim të mos vonojë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gazetari Robert Goro: Greqia dëshiron që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndahen në procesin për integrim në Bashkimin Europian. Sipas Athinës, kjo është e domosdoshme për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
Këtë ka theksuar në një intervistë për shtypin grek, ministri i Jashtëm Nikos Dendias.
Dendias renditi edhe prioritetet e Athinës për Shqipërinë, ku në fokus është minoriteti. Sipas tij, kjo çështje përfshihet në kushtet që vetë Bashkimi Europian ka vënë për Shqipërinë.
Tv Klan