Ministria e Drejtësisë ka përfunduar detyrën e saj në draftimin e Projektligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, mbështetur edhe në sugjerimet e bëra nga aktorë të sistemit të drejtësisë si përfaqësues të Konferencës Gjyqësore, Shoqatave të Gjyqtarëve, Këshillit të Lartë i Drejtësisë, si dhe misioneve të  asistencës ndërkombëtare.  

Në një intervistë të sotme për Tv Klan, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha se qëllimi për përgatitjen e këtij projektligji ka qenë që Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të funksionojë mbi bazën e një ligji, pasi më parë ka funksionuar mbi bazën e vetë-organizimit të saj.

Bujar Nishani: “ Projekti ka përfunduar, por natyrisht duke qenë që argumenti bazë i gjykatës Kushtetuese në pezullimin e ligjit të mëparshëm, ka qenë pikërisht miratimi i tij me 3/5 e votave. Përsa kohë ne nuk kemi opozitën në parlament, pavarësisht që do ta japë apo jo konsensusin e mëtejshëm në këtë ligj. Ligji është në pritje për tu çuar dhe për tu trajtuar më pas në parlament. Ka në fakt një mendim të paardhur ende zyrtarisht, në fakt një prej shoqatave të gjyqtarëve të cilët i ankimoi gjykatën kushtetuese, megjithëse ka disa muaj që është kërkuar mendimi për këtë përligj nuk ka depozituar asnjë mendim pranë ministrisë së drejtësisë përsa i takon këtij projektligj.”

Nishani tha se projektligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, ku janë reflektuar të gjitha rekomandimet e grupeve të interesit, mbetet për t’u trajtuar në Parlament, por ai shprehet skeptik mbi votimin nga opozita e këtij projektligji.

Bujar Nishani: “Nuk është vetëm çështja e këtij projektligji që është bllokuar pa u dërguar në seancë, por mund të vijmë dhe në momentet kur opozita të hyjë në parlament dhe mund të mos e japë votën për këtë përligj, mund t’iu sjell në vëmendjen tuaj rastin me ligjin për gjykatën administrative ku iu reflektuan dhe në komisionin e ligjeve mendimet dhe kërkesat e opozitës dhe nuk ra dakord për ta kaluar në seancë plenare opozita dhe ende sot e kësaj dite ligji për gjykatën administrative ndonëse se është depozituar prej kohësh në parlament është diskutuar në komisionin e ligjeve, por nuk ka kaluar në seancë sepse nuk ka pranuar të japë votat opozita.”

Funksionimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, tashmë është bërë një çështje e diskutueshme dhe një ngërç mes hallkave të sistemit të së drejtës.

Në 2005 Gjykata Kushtetuese doli me vendimin se Konferenca Gjyqësore Kombëtare duhet të mblidhet me një vendim gjykate dhe jo ashtu siç ka vepruar për vite me radhë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani