Sali Berisha: “Zoti Ministri i Punëve Publike dhe të Transportit është e domosdoshme që të vendosësh një takim me kryetarin e bashkisë për të diskutuar, shqyrtuar problemin e sheshit.”
Një ditë pas kësaj deklarate të kryetarit të ekzekutivit, mësohet se ministri Sokol Olldashi ka dërguar një letër kryebashkiakut Rama.
Burime nga Ministria e Punëve Publike dhe e Transporteve konfirmuan për Televizionin Klan se ministri Olldashi, nëpërmjet një letre zyrtare, i ka kërkuar bashkëpunim kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të zgjidhur sa më parë çështje që lidhen me trafikun dhe ndërtimin e sheshit në qendër të kryeqytetit.
Shqetësimi i kësaj ministrie lidhet pikërisht me ngërçin në trafik që po shkaktohet nga punimet në sheshin Skënderbej.
Olldashi i kërkon Ramës të diskutojnë së bashku mbi sheshin për ndërtimin e të cilit qeveria nuk ka kundërshti, por ngre shqetësimin e mungesës së një zgjidhjeje për trafikun e automjeteve.
Debate në distancë mes qeverisë dhe bashkisë për Sheshin Skënderbej kanë arritur kulmin një ditë më parë, kur kryebashkiaku Rama pa asnjë paralajmërim ndërmori një eksperiment duke bllokuar lëvizjen e automjeteve, pikërisht në zemër të Tiranës.
Menjëherë i gjithë trafiku u zhyt në kaos dhe u paralizua duke dëshmuar kështu në dështimin e këtij eksperimenti.
Në prononcimin publik, Rama i ka kërkuar qytetarëve të tregohen të duruar dhe të mësohen me këtë situatë.
Sakaq i shpejtë ka qenë reagimi i shefit të qeverisë, i cili kërkoi ministrit Olldashi të përpilojë opsione për zgjidhjen e këtij ngërçi, duke i ofruar bashkëpunim Ramës. Tashmë mbetet për t’u parë reagimi i kryebashkiakut./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro