Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Për të goditur krimin e organizuar dhe mbështetjen e tij financiare, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një paketë ligjore me disa ndryshime në kodin penal. Ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj, ka prezantuar këto ndryshime ligjore përpara juristëve të njohur dhe përfaqësuesve të drejtësisë shqiptare.
Fatmir Xhafaj: “Amendimi i ligjit material dhe atij procedural penal, në cilësinë dhe përmbajtjen e kërkuar, do të na lejojë të zbatojmë dhe të mbështetemi, në forma dhe në mënyra që kanë rezultuar si efektive në trajtimin e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Goditjen më të ashpër të elementëve kriminal, e parë kjo gjithmonë në funksion të një efektiviteti më të madh në luftën kundër krimit të organizuar”.
Në ndryshimet ligjore të propozuara, një të dënuari për veprimtari kriminale, mund t’i falen dhe 2/3 e dënimit nëse bashkëpunon me drejtësinë. Ekspertë ligjorë dhe përfaqësues të prokurorisë janë shprehur, se ndryshimi i një neni nuk është i mjaftueshëm për praktikat në fjalë dhe kanë kërkuar hartimin e një ligji të veçantë.
“Flasë për pozicionin e prokurorit, do të konsiderohej më e plotë, duke folur gjithmonë në parim, kur të kishte dhe një rregullim ligjor të domosdoshëm lidhur me bashkëpunëtorët e drejtësisë, pra me procedurat që duhet të ndjekë prokurori për të aplikuar gjatë hetimit dhe gjykimit, rastet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Jo në pak raste ndeshemi, që individë në procesin e hetimi, të pandehur, kërkojnë të bashkëpunojnë me organet e prokurorisë, por kërkojnë dhe garanci, kërkojnë dhe të përfitojnë”.
Ndërsa është kërkuar që në ligjin shqiptar të hiqet e drejta e të pandehurit për të kërkuar gjykim të shkurtuar në rastet e krimeve të rënda./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj