Viti i ri akademik pritet të fillojë në 15 Shtator.
Pikërisht katër javë përpara fillimit të shkollës Ministria e Arsimit ka bërë me dije se janë të shpërndara në të gjitha libraritë, 405 tituj tekstesh shkollore nga 426 që duhet të jenë.
Ndërsa pritet që shtëpitë botuese të hedhin në treg edhe pjesën tjetër të librave ministria nuk ka vendosur asnjë afat përfundimtar për to, por përsa u përket librarive Ministria e Arsimit paralajmëron se do të sanksionojë ata që nuk japin fatura.
Brikena Kollçinaku: “Rikujtojmë të gjithë blerësit që të marrin faturën tatimore nga shitësi ku ai i blen këto libra me çmimin e afishuar në kopertinë në mënyrë që të përfitojnë nga kompensimi prej 310 milion lekësh që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion të nxënësve të shkollave publike dhe private të arsimit bazë. Librashitësit që nuk do të lëshojnë fatura tatimore apo do të lëshojnë fatura tatimore të pasakta do të kenë pasoja ligjore”.
Nxënësit dhe prindërit e tyre duhet të drejtohen në libraritë pranë shkollave për të marrë librat pasi të kenë parë më parë listën e librave që duhet të blejnë, kjo pasi çdo shkollë ka zgjedhur tekstin e saj alternativ mbi bazë të të cilit do të punojnë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami