Ministria e Brendshme ka bërë publike listën përfundimtare për zgjedhjet e 28 qershorit. Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni tha, se numri total i personave që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje parlamentare është 3.084.067 persona.
Kjo listë do t’i kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas ajo do të jetë në dispozicion të të gjitha subjekteve politike që kanë kërkuar apo do të kërkojnë informacion mbi të.
Ferdinand Poni: “Numri i total i zgjedhësve sipas vendimmarrjes së kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore në listën përfundimtare është 3.084.067 zgjedhës. Ky material do ti transmetohet dhe KQZ-së, lista e qendrave të votimit, adresa e qendrave të votimit, numri përfundimtar i zgjedhësve për çdo qendër votimi dhe vetë lista e zgjedhësve për çdo qendër votimi në Shqipëri. Pas kësaj ose me përfundimin e kësaj besoj i hapt rrugë edhe të gjitha subjekteve politike që besoj po nesër do të kenë të gatshme nëse do të kërkojnë ose ato që kanë kërkuar edhe listën përfundimtare të zgjedhësve.”
Po kështu, zëvendës ministri Poni bëri publike edhe numrin e qendrave të votimit. Në total janë 4812 qendra në të 12 qarqet e vendit. Tirana ka numrin më të madh, me 824, e pasuar nga Elbasani me 557 e më pas vijnë Fieri e Korça./tvklan.al