Tre partitë e opozitës: Të hënën regjistrohemi në zgjedhje
E thirrur për t’u mbajtur në orën 10:00 të kësaj të shtune për të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga tre parti opozitare për nisjen e procedurave për zgjedhjet lokale në 13 Tetor, mbledhja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dështoi.
Shkak u bë mungesa e katër anëtarëve të mazhorancës. I vetmi që u paraqit në mbledhje ishte kryetari i KQZ-së Klement Zguri.
“Pa kuorum nuk mund të hapet mbledhja. Kolegët kanë deklaruar se janë me leje dhe nuk janë. Ju kërkoj ndjesë, nëse do të kemi mbledhje tjetër është e papërcaktuar deri tani”.
Përfaqësuesit ligjorë të tre partive partive opozitare e cilësuan politike mungesën e 4 anëtareve të shumicës. Pavarësisht qëndrimit të mazhorancës, ata thanë se do të regjistrohen të hënën si subjekte elektorale.
“Mungesa e anëtarëve është e qëllimtë dhe politike. Do të sjellim të hënën kërkesën për regjistrimin në zgjedhje. Kodi parashikon që KQZ-ja ka detyrimin të nisë procedurat dhe së pari duhet të merrte parasysh kërkesën”, tha përfaqësuesi ligjor Muharrem Caka.
Në letrën drejtuar KQZ-së, tre partitë opozitare, ajo Republikane, Agrare dhe LSI duke e konsideruar të paligjshëm 30 Qershorin, theksojnë se data e e re e caktuar me dekret për zhvillimin e vendoreve është 13 Tetori, ndaj në bazë të Kodit Elektoral, Komisioni duhet të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit. Por mazhoranca e cilëson 13 Tetorin si një ditë të zakonshme pushimi, pasi sipas saj zgjedhjet vendore u mbajtën në 30 Qershor.
Tv Klan