Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Rreth pesë mijë familjeve të pastreha që jetojnë si qiramarrës në banesat e ish-pronarëve, u është miratuar një fond nga Ministria e Punëve Publike, për ndërtimin e apartamenteve. Janë rreth 550 milion lekë të reja që do të menaxhohen nga Enti Kombëtar i Banesave, për ndërtime shtëpish dhe 120 milion lekë të reja, që do të shërbejnë për blerje të apartamenteve tek firmat private. Xhavid Dajçi, shef i sektorit të strehimit në Ministrinë e Punëve Publike thotë:

Xhavid Dajçi:- “Është marrë përsipër, që kjo kategori të pastrehësh, të realizohej në bazë të mundësive të buxhetit të shtetit, të realizohej për pesë vjet dhe qëllimi është që kjo kategori të sistemohej për pesë vjet. Fondet janë të konsiderueshme, fatura është jashtëzakonisht e madhe, megjithatë qeveria e ka marrë përsipër”.

Mbi 400 familje të pastreha të dala në vitin 1992, të kësaj kategorie, përfituan kredi nga shteti nëpërmjet Bankës së Kursimeve. Ndërkohë që kredia greke, që do të jepej ndihmë për disa nga kategoritë e pastreha, ende nuk kanë gjetur zbatim në vendin tonë./tvklan.al