Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Dy funksionarë policie janë përjashtuar nga radhët  e uniformave blu dhe i janë nënshtruar hetimit lidhur me tragjedinë e ndodhur në afërsi të Vlorës. Shefi i anti-terrorit në qytetin e Shkodrës Bardhyl Rrokaj, babai i skafistit Artur Rrokaj është një nga funksionarët e përjashtuar. Tjetri është xhaxhai i skafistit Ilir Rrokaj inspektor qarkullimi në Vlorë.

Policia ka arrestuar edhe zv/drejtorin e portit të Vlorës Gjergji Robaj, vëllai i pronarit të gomones Viron Rrobaj. Në postën e policisë së Dhërmiut janë shkarkuar dhe do të ndiqen penalisht katër punonjës të tjerë policie. Janë shpallur në kërkim tre pronarët e gomones Elton Tafili, Viron Robaj dhe Altin Resuli nga Vlora.

Në orët e mesditës forcat e policisë arrestuan dy skafistët Artur Rrokaj dhe Albert Alliu. Ndërsa skafisti tjetër Dritan Ramadani ka gjetur vdekjen. Dy skafistët e arrestuar sipas zëdhënësit të Ministrisë së Rendit, do të procedohen për akuzën e vrasjes.

Florion Seriani:- “Ministria e Rendit Publik e konsideron ngjarjen më të fundit, si një përpjekje të elementëve kriminal për të ringjallur linjat e vjetra të trafikut dhe deklaron goditjen e këtij fenomeni, duke çuar përpara drejtësisë autorët e identifikuar të kësaj ngjarje tragjike. Personat përgjegjës për këtë ngjarje, do të vihen përpara përgjegjësisë penale për vrasje në bashkëpunim dhe njëherësh, të gjithë personat e implikuar në të do të konsiderohen si bashkëpunëtor në vrasje”./tvklan.al