Lajme Arkiva – TV Klan 2002
Brenda një kohe të shkurtër, lëvizje të forta ka ndodhur në strukturat e rendit në Shqipëri. Drejtues të lartë, oficer policie e deri punonjës të thjeshtë, janë detyruar t’i lënë lamtumirën uniformës blu. Ndryshe nga masat që ishin marrë më parë, kryesisht pezullime, ulje në detyrë apo lëvizje paralele, ato kanë qenë shumë të forta.
Zyrtarë që mendohet se janë të implikuar, apo kanë abuzuar me detyrën, janë larguar njëherë e përgjithmonë nga forcat e rendit, madje për ta kanë filluar edhe hetimet. Këto lëvizje në rend që mbahen me firmën e zv/ministrit të ri të rendit Igli Toska, janë shoqëruar me disa goditje të suksesshme kundër krimit, që nga trafiku i drogës, e deri me veprimet e fundit që lidhen me të ashtuquajturën Hakmarrja për Drejtësi.
Të lidhur me këtë organizatë u motivuan dhe shkarkimet e 5 zyrtarëve të policisë, mes tyre dhe të drejtorit të Elbasanit Neritan Nallbati. Vetë kryeministri Nano i ka dhënë mbështetje personale, aksioneve të fundit të policisë. Në një takim të shtunën pasdite me Toskën, Sollakun, Hysenaj, e Peçin, ai ka kërkuar të vazhdojnë goditjet kundër krimit dhe spastrimi i radhëve të policisë nga të inkriminuarit./tvklan.al