Erion Bogdani, Besart Berisha dhe Ilion Lika janë emrat e fundit që i ka shtuar trajneri Arie Haan 18-shes së miqësores me Lihtenshtejnin.

Holandezi i stolit kuqezi është menduar sërish duke thërritur më shumë sulmues, jo dy sa kishte deklaruar më parë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2010 me Suedinë dhe Maltën.

Haan ka rikthyer pas shumë kohësh edhe Ilion Likën, i mbetur jashtë ekipit që prej kohës së Oto Bariç.

Pjesa dërrmuese e emrave të listës janë si gjithnjë mesfushorë, ndërsa numri total i lojtarëve të ftuar është 21.

Sfida e parë dhe më e rëndësishme do të jetë ajo ndaj Suedisë me 6 Shtator. Kundërshtari nordik që e publikoi listën të martën do të ketë në Tiranë të gjithë yjet e saj, përfshirë sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimoviç.

Grumbullimi i kuqezinjve do të nisë më 1 Shtator, ndërsa trajneri Arie Haan do të jetë në Shqipëri më 30 Gusht për të ndjekur takimet e kampionatit shqiptar./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe