Fryma bashkëpunuese e munguar mes 2 partive të mëdha për ligjin e pastërtisë së figurave, është rikthyer për ligjin e prokurorisë. I ardhur për shqyrtim në komisionin e ligjeve, drafti i hartuar nga ekzekutivi është miratuar në mënyrë konsensuale duke marrë në tërësi dhe vlerësimin pozitiv të socialisteve që e kanë argumentuar votën pro me ndryshimet që i janë bërë draftit fillestar të paraqitur në muajin mars duke u bazuar dhe në propozimet e ardhura nga OPDAT dhe Euralius.

Fatmir Xhafa: “Duke vlerësuar në tërësi projektin, ne shprehemi në mbështetje të projektligjit të ardhur nga Këshilli i ministrave, duke gjetur këtë iniciativë ligjore në përputhje me kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit. Ne konsiderojmë se ato janë gjithsesi ende të pa mjaftueshme për tu konsideruar si një reformë tërësore në misionin e prokurorisë”.

E pranishme për të dhënë sugjerimet dhe vërejtjet e saj mbi projektligjin, kreu i organit të akuzës Ina Rama, ashtu siç është bërë e njohur tashmë ka kundërshtuar draftin në dy nene të rëndësishme sipas saj, nenin që prekin të ashtu quajturin “imunitet të prokurorëve” dhe atë që lidhet me të drejtën e Ministrit të Drejtësisë për të raportuar një herë në vit përpara parlamentit mbi kontrollet e bërë në organin e akuzës, dhe pas kësaj rekomandimin për dhënien e një mase apo nisjen e një procedimin disiplinor për prokurorët që konstatohen me shkelje.

Ina Rama: “Shfuqizimi i kësaj dispozite, mendojmë që përballë prokurorët me abuzivitetin e mundshëm të rrugës kur ata janë në kryerje të ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese”.

Enkelejd Alibeaj: “Unë besoj që është një frikë e pabazë. Në rastet kur nuk ka situatë flagrance, i vetmi organ, i vetmi zyrtarë, i vetmi zyrtarë me tagre ligjore për të kryer ndalimin ose arrestimin nuk është askush tjetër përveçse një prokuror, një prokuror që është koleg i atij prokurori i cili hipotikisht mund të mendohet se do të mund të ndalohet ose arrestohet dhe ky është një absurd”.

Ina Rama: “Më duhet të ushtroj një pyetje, se për çfarë do të vlejë raportimi në parlament i këtyre konkluzioneve të nxjerra nga Ministri i Drejtësisë? Parlamenti do të mbajë një rezolutë e cila në rastin kur do të kemi 2 raporte të ndryshme në favorin e të cilit krah do të jetë. Mendoj që parlamenti do të votojë, do të mbështesë raportin që bën ministri i drejtësisë. Pra e gjitha kjo shndërrohet në një vegël, në një mënyrë për të involvuar prokurorin e përgjithshëm në një debat politik”.

Enkelejd Alibeaj: “E për mos të qenë një balancë vetëm me njërin krahë, atëherë jepet në një balancë tjetër dhe që është matja e luftës, e kriminalitetit të bërë gjithmonë nga Prokuroria me një indekrator tjetër që është indekratori Ministria e Drejtësisë. Këtu ku ka vetëm transparencë, këtu ka vetëm kthimin e një lufte okulte ndoshta politike dikur në një debat juridik para deputetëve”.

Pas miratimit nga Komisioni i Ligjeve, të hënën pritet që projektligji i prokurorisë të marrë dhe miratimin e parlamentit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Montazh: Ergis Hasanbelli