Sezonin turistik të 2026 vija bregdetare e Tales do të lidhet me autostradën Lezhë- Tiranë përmes një rruge të re.
Bëhet fjalë për rrugën Rrilë- Hidrovor, 6.3 KM e gjatë, punimet se cilës u inspektuan nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu. Shefi i qeverisë tha se projekte të tjera të bukura do të zhvillohen në Tale.
“Besoj që dhe për ju që jeni këtu, sepse për të tjerët, Pjerini thotë do jetë për të gjithë Ballkanin, por për zonën do jetë shumë domethënëse. Për hir të vërtetës, përtej shakasë që është vetëm gjysma e së vërtetës, kemi projekte shumë të bukura këtu në zonën e bregdetit në Tale, por dhe në gjithë zonën e bregdetit. Janë projekte shumë të bukura zhvillimi dhe do sjellin shumë ekonomi”, tha Rama.
Nuk kurseu batutat me banorët të cilët e pritën në Lezhë. Më herët kryeministri inspektoi punimet e një shkolle e re në Kamëz që do të hap dyert për 1300 nxënës në Shtator.
Kryeministri e cilëson si një nga investimet më të mira në infrastrukturën arsimore dhe që ju jep përgjigje edhe akuzave për shpopullimin.
Investimi shkon në 6.5 milion Euro. Për shkak se është bashkëfinancim me qeverinë gjermane, si grant për rindërtimin shkolla do mbaje emrin e ish-kancelares Angela Merkel.
Tv Klan