Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar këtë të mërkurë nga parlamenti se shteti helen po dyfishon ujërat territorialë në detin Jon. Sipas kreut të qeverisë helene është hedhur hapi i dytë madh që pas aneksimit të ishujve Dodecanese në vitin 1947.
“Sot në vitin 2021 ne marrim një hap të dytë thelbësor. Vendi ynë zgjeron dominimin në detin Jon me 12 milje. E kam shpallur zgjerimin e ujërave territorialë që prej Gushtit. 4 muaj më vonë, detet tona dyfishohen. Një e drejtë e përcaktuar nga ligji ndërkombëtar”, tha Mitsotakis.
Për të përforcuar të drejtën e Greqisë për zgjerim, Mitsotakis përmend qëndrimet e kryeministrit Edi Rama.
“Vetëm kohët e fundit, kryeministri shqiptar ka thënë se zgjerimi me 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e Greqisë, duke procuar se Deri Mesdhe mund të bëhet det i paqes”, tha ai.
Por më të zbutura i ka tonet kreu i qeverisë greke kur flet për zgjerimin në zona të tjera, si ajo e Kretës. Sipas tij, Greqia do të zgjerohet atje në kohën dhe në mënyrën që do ta zgjedhë vetë.
“Vendi ynë mund të zgjerohet edhe në zona të tjera, në Kretë dhe kudo, por në një kohë dhe mënyrë që do ta zgjedhim vetë”, tha Mitsotakis.
Por ai shtoi se zgjerimi i ujërave territorialë është “një mesazh i artë që qeveria po u dërgon atyre që me kërcënime po përpiqen që të pengojnë vendin nga kjo e drejtë”.
Zgjerimi në detin Egje prek Turqinë. Mediat turke reaguan ashpër pas deklaratave të ministrit Dendias të martën se Greqia do të zgjerohet edhe në detin Egje. Për turqit ky është shkak për luftë, ndërsa shtonin se janë komente që minjnë bisedimet teknike mes palëve për gjetjen e një dialogu./tvklan.al