Gazeta më e madhe greke “Kathimerini” në një artikull të saj zbulon se Athina dhe Tirana po i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre. I titulluar “Dritarja e Komunikimit” me Tiranën, artikulli thekson se mes dy vendeve janë zhvilluar një sërë negociatash për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, që pati një rritje tensionesh me arrestimin e Fredi Belerit, kandidatit për bashkinë e Himarës.

“Progresi aktual i Tiranës në negociatat e pranimit me BE shihet si një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet greko-shqiptare dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet kryesore. Sidomos kohët e fundit qeveria e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka proceduar me miratimin e ligjeve zbatuese të vitit 2017 të cilat parashikojnë në thelb të drejtën e vetëvendosjes për anëtarët e pakicës kombëtare greke edhe nëse ata jetojnë jashtë zonave ku kjo ishte e mundur. Kjo lëvizje specifike e çoi Athinën në vendimin për të mos bllokuar kapitullin e fundit të pranimit të negociatave për Tiranën dhe të dyja palët duket se janë në konsultime të përhershme edhe për çështje të tjera të rëndësishme.”

“Kathimerini” zbulon se ka pasur disa herë konsultime me Shqipërinë e Greqinë, që kanë pasur në focus pikërisht çështjen e integrimit, duke zgjidhur çështjet e lëna pezull. Si rezultat i këtyre konsultimeve, kanë ardhur si zgjidhje vendimet e fundit të Dhjetorit të qeverisë Rama për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare.

“Kathimerini” thekson se mes Athines dhe Tiranës ka ende çështje të pazgjidhura siç është ajo e paktit detar, të ligjit të luftës apo të pronave të popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Tv Klan