Një mi gjigant afrikan fitoi sot një çmim prestigjioz për punën e tij në zbulimin e minave tokësore në Kamboxhia.
Organizata bamirëse britanike PDSA i ka dhuruar miut të quajtur Magawa, Medaljen e saj të Artë për “devotshmëri në detyrën që shpëton jetë”. Magawa është miu i parë që fitoi medalje nga ndihma që ka dhënë për pastrimin e minave në Kamboxhia.
Ai ka pastruar më shumë se 141,000 metra katrorë tokë, ose afërsisht 20 fusha futbolli. Ndërsa në gjithë karrieren e tij ka nuhatur 39 mina tokësore dhe 28 municione të pashpërthyera.
Nga një organizatë tjetër bamirësie belge, e cila merret me trajnimin e brejtësve është bërë e ditur se një mi i trajnuar mund të kontrollojë zonën e një fushe tenisi në më pak se gjysmë ore, diçka që një njeriu me një detektor metali do t’i duhej deri në katër ditë kohë për ta përfunduar.
“Brejtësit mësohen të zbulojnë një përbërje kimike brenda eksplozivëve dhe të injorojnë hekurishtet. Kjo do të thotë që ata mund të kërkojnë minat shumë më shpejt. Pasi të gjejnë një eksploziv, ata gërvishtin pjesën e sipërme për të paralajmëruar bashkëpunëtorët e tyre njerëzorë. Trajnimi i tyre zgjat një vit“.
Minat e mbetura në Kamboxhia janë një trashëgimi e luftës brutale civile të kombit në vitet 1970- 1980. OJQ-ja për pastrimin e tyre, Halo Trust thotë se që nga viti 1979 në Kamboxhia, shkaku i këtyre minave të mbetura, janë regjistruar mbi 64,000 viktima dhe më shumë se 25,000 të tjerë kanë humbur gjymtyrët.
Sipas të dhënave nga Qendra e Veprimit ndaj Minave Kamboxhiane (CMAC), mund të jenë edhe 6 milion mina, të pazbuluara akoma./tvklan.al