Policia e Tiranës ka arrestuar mjekun radiolog, Pëllumb Hysko dhe ka proceduar penalisht teknikun laborant Artur Zeko, të denoncuar mbrëmjen e së martës në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan, nga një e re e cila i akuzon ata për ngacmim seksual.
Për këtë rast ka reaguar edhe vetë spitali “Shefqet Ndroqi”, që ka pezulluar menjëherë nga detyra mjekun imazherist dhe teknikun laborant.
Në pamjet e bëra publike në emisionin investigativ në Tv Klan, denoncuesja ankohet për dhimbje mesi, por mjeku nis ta komplimentojë për fizikun, e duke kërkuar të bëjë disa eko që nuk lidhen me shqetësimet që ajo kishte.
Madje imazheristi Hysko e këshillon atë të shkonte në Sanatorium ku ai punon që të bënte kontroll pa letra e pa pagesë.
Krahas pezullimit nga detyra të mjekut dhe teknikut laborant të “Shefqet Ndroqi”, drejtuesit e spitalit kanë urdhëruar fillimin e një hetimi disiplinor dhe të Këshillit të Etikës për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë rast të paprecedent.
Tv Klan