Ditën e mërkurë, mjeku i sanatoriumit Pëllumb Hysko është shoqëruar në ambientet e policisë së Tiranës, pas transmetimit të emisionit “Stop” në Tv Klan ku Hysko shfaqej në skena të turpshme duke ngacmuar seksualisht një paciente.

Ndaj tij rëndojnë disa akuza, ajo e ngacmimit seksual dhe e mitmarrjes, pasi mjeku e drejtoi pacienten tek kolegu i tij Artur Zeko për një skaner pa rradhë e pa pagesë me 20 mijë lekë të vjetra nën dorë.

Nga ana tjetër ka reaguar edhe spitali “Shefqet Ndroqi”.

Në deklaratën për shtyp thuhet se rasti ishte tronditës ndaj mjeku radiolog Pëllumb Hysko dhe tekniku laborant Artur Zeko janë pezulluar menjëherë nga detyra. Drejtuesit e spitalit kanë urdhëruar fillimin e një hetimi disiplinor dhe të Këshillit të Etikës për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë rast të paprecedentë.

Abuzimi seksual, thuhet në deklaratë, është jo vetëm një veprim kriminal, por një shkelje e rëndë e besimit dhe etikës mjekësore.

Pas emisionit të transmetuar mjekët shprehen se ndihen thellësisht të tronditur, të tradhtuar dhe të revoltuar nga veprimet e kolegëve të tyre.

Deklarata falenderon emisionin “Stop” për denoncimin e këtij rasti abuziv dhe shpreh ndjesën publike ndaj qytetarëve duke siguruar se çdo rast i ngjashëm do të marrë përgjigjen e merituar ligjore./tvklan.al