Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gjirokastra mund të rindërtohet, kështu është shprehur i bindur drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Moikom Zeqo, gjatë një vizite në qytetin e gurtë. Muzeu i Armëve në kalanë e Gjirokastrës është cilësuar i dalë kohe nga zoti Zeqo. Punimet për rikonstruksionin e këtij muzeu që bart me vete një pjesë të historisë së popullit tonë, duhet të përfundojnë përpara festivalit folklorik.

Dërgimi i dosjes së Gjirokastrës në UNESCO, sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, nuk do të sillte ndonjë gjë të madhe për qytetin, e shumta në këtë rast sipas tij do të shtoheshin vizitorët. Gjirokastra mund të rindërtohet fare mirë nga shteti dhe vetë gjirokastritët, u shpreh Zeqo. Shteti mjafton t’u ulë 1% taksat firmave ndërtuese që janë në Shqipëri dhe ato sipas zotit Zeqo mund të rikonstruktojnë jo vetëm një shtëpi gjirokastrite, por shumë të tilla.

Moikom Zeqo: “Padyshim që duhen bërë disa ndërhyrje ndërtimore, në mënyrë të veçantë riparimi i disa harqeve, pastrimi i gurëve dhe në mënyrë të veçantë të dritareve monumentale, ku hyn drita natyrore, për ta konceptuar tashmë koleksionin në mënyrë më të koncentruar dhe në mënyrë më elitare”./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini