Beqiri e dinte mirë se çfarë jete do ta priste në internim në Dhëmblan të Tepelenës. Siç rrëfen ai në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela  Shqiptare”në Tv Klan, e lanë të bënte vetëm dy vjet shkollë, por do të ishte thjesht një  kooperativist, pa të ardhme.

I ati ëndërronte ta shkollonte dhe përmes miqve e familjarëve, arrin të shkojë në Durrës te daja i tij, Hyseni. Beqiri nis punë si mirëmbajtës në Vaun e Dejës, filloi edhe shkollën dhe kështu jeta mori një rrjedhë disi normale.

Megjithatë, përtej çdo pune që mund të bënte e shkolle që mund të kryente, mungonte liria. Frika nga sistemi, terrori ishin kudo dhe pas dënimit të dajës së tij në burgun e Spaçit për agjitacion e propagandë, disa vite më vonë u burgos edhe vetë Beqiri.

Beqir: Isha 31 vjeç kur kam tentuar për t’u arratisur në 1987 nga Saranda.

Ardit Gjebrea: Si ndodhi, ma trego pak.

Beqir: Po, por dua të them këtë që ne prisnim kur të vdiste Enveri do të ndryshonte sistemi dhe meqë kishim dëgjuar që flisnin gjithandej që ishte i sëmurë e ku e di unë, vdiq Enveri dhe 5 vjet më mbrapa, Ramiz Alia jo vetëm që nuk ndryshoi sistemin, por e shtrëngoi edhe më shumë, e bëri më fukarallëk.  Duke parë që ndryshime nuk kishte, unë vendosa për t’u arratisur bashkë me një shokun tim. Jemi hedhur në Sarandë më 17 tetor 1987.

Ardit Gjebrea: E kujton atë moment?

Beqir: E kujtoj, është një moment që nuk do të më shuhet kurrë në kujtesën time pasi mund të them që ishte momenti më i bukur i jetës sime.

Ardit Gjebrea: Plani ishte për të shkuar nga Saranda në Korfuz.

Beqir: Sigurisht.

Ardit Gjebrea: Me not?

Beqir: Me not, po. Mirëpo fatkeqësisht këtij shokut që ishte me mua, e zuri ngërçi siç quhet, iu bllokua këmba, pulpa e këmbës. Unë u mundova që ta ndihmoja gjatë natës. Faktikisht na zuri mëngjesi, ishim në ujërat tona, nuk kishim dalë në ujëra neutrale apo më larg dhe anija e kufirit që kalonte, na panë me dylbi dhe na erdhën aty. Ne ishim në ujë, nuk lëviznim dot. Na qëlluan me automatik për të na vrarë. Ishte fati jonë që unë sot jam këtu përpara që të tregoj këtë histori pak a shumë të dhimbshme, por është e nevojshme që brezat e rinj ta dinë.

Ardit Gjebrea: Ju qëlluan me automatik?

Beqir: Po, na qëlluan me automatik. Një kallashnikov komplet i automatikut është shkarkuar mu këtu,30  cm nga gjoksi im.

Megjithëse u shpëtuan plumbave, Beqirin dhe shokun e tij i prisnin torturat çnjerëzore brenda anijes.

Beqir: Neve pasi na futën në anije ushtarët që na morën, na kanë rrahur dhe na kanë bërë ato torturat e tyre, njerëz me tru të shpëlarë për mendimin tim dhe kur kemi zbritur në portin e Sarandës, na kanë lidhur me litar dhe na tërhiqnin me litar nga porti i Sarandës deri në degën e brendshme.

Beqiri u dënua me 22 vite burg ndërsa shoku me 21, dënim që do ta vuanin në burgun e Qafës së Barit./tvklan.al