Mjekja psikiatre Arjana Rreli, në bisedën me “Rudina” në Tv Klan ‘zhveshi’ paksa përparësen e profesionit të saj duke treguar më shumë për gruan, nënën dhe gjyshen që tashmë është. Rreli është  nënë e dy vajzave, Jonës dhe Megit me të cilat ka një lidhje të veçantë.

Vajza e madhe ka plotësuar edhe ëndrrën e saj për t’u bërë arkitekte e tani i ka dhuruar gëzimin e të ndjerit gjyshe për herë të parë. Pas fjalëve plot krenari të Arjanës për vajzat, ishte momenti që Jona ta surprizonte përmes një videomesazhi ku ndau edhe kujtimin më të bukur të tyre.

“Sot nuk dua të flas sa person i mrekullueshëm je ti si kolege, si shoqe, si prind se çdo prind është më i miri për fëmijën e tij. Unë dua thjesht të të falenderoj për të qenurit shoqja ime më e mirë, modeli më i mirë për t’u ndjekur dhe dua të të falenderoj sidomos për vlerat që ti më ke transmetuar. Ti ke qenë forca ime dhe ke qenë gjithmonë aty për mua duke demonstruar që me shembullin tënd çdo gjë është e mundur. Në këto 32 vite kemi shumë kujtime të bukura bashkë, por më i veçanti për mua do të jetë kur ti ke qenë aty me mua në sallën e lindjes dhe ke pritur Emarën. Ka qenë një emocion i papërshkrueshëm për mua, ke qenë forca ime më e madhe aty. Me të gjitha këto fjalë të mira që thashë, tani unë do të doja të bëja edhe një kritikë të vogël. E di që ke një profesion që të ha shumë kohë dhe një profesion shumë fisnik, por të gjithë do të donim të të kishim pak më shumë pranë vetes tonë, sidomos Emara që çdo pasdite mezi pret që të vijë te nana”, përfundoi Jona duke i lënë disa sekonda videos për një përshëndetje të veçantë nga e vogla Emara./tvklan.al