24 orë në 7 ditë të javës disa prej akseve kryesore në vend do të vëzhgohen përmes sistemeve kompjuterike, të cilat janë vendosur në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.
Gjatë inspektimit në këtë qendër ku po kryehen punimet e fundit, zv/Kryeministrja Belinda Balluku tha se monitorimi do të nisë fillimisht për 200 kilometrat e para në disa prej akseve kryesore në vend.
“Do kontrollojë trafikun në akset kombëtare, ku përfshihet aksi rrugor Tiranë-Elbasan, i gjithë aksi nga Tirana deri në Vlorë, si dhe segmenti Vorë – aeroporti i “Nënë Tereza”, për të vijuar më tej edhe me segmentet e tjera rrugore”.
Krahas zgjidhjes së problematikës rrugore e cila do të vijë përmes pamjeve që ofrojnë në kohë reale 50 kamerat e vendosura në terren, qendra do të jetë funksionale në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm, duke ofruar njëherazi edhe informacione për cështje që lidhen me sigurinë kombëtare.
“Informacionet që do prodhohen nga kamerat e trafikut do të jenë iluminuese edhe për çështjet e korrupsionit. Ky projekt do ndërthuret me projektin e monitorimit të vendit, Smart City, janë kamera që japin informacion për sigurinë kombëtare, edhe për problematikën në zonat përreth shkollave”.
Në funksion të kësaj qendre do të jetë një staf prej 200 punonjësish nga ARRSH, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, AKSHI dhe Urgjenca Kombëtare, të cilët do të përpunojnë në kohë reale të gjitha të dhënat që do të vijnë përmes kamerave, që do të instalohen në disa nga pika kyçe të akseve rrugore.
Të dhënat që kjo qendër do të administrojë do të shërbejnë edhe si një udhërrëfyes për projektet e ardhshme në infrastrukturën rrugore, si dhe do të evidentojë edhe pikat ku duhet ndërhyrë për të përmirësuar parametrat e sigurisë.
Tv Klan