Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës me Monzën në kampionat.
Tekniku bardhezi vlerësoi kundërshtarin, duke thënë se ekipi i tij duhet të jetë i përqendruar gjatë gjithë takimit, për të marrë një rezultat pozitiv.
Sipas tij, lojtarët nuk duhet të mendojnë për rezultatet e së kaluarës, por vetëm për ndeshjen e nesërme.
“Luajmë ndaj një ekipi të mirë dhe duhet të bëjmë ndeshje të madhe. Duhet përqendrim i madh gjatë gjithë takimit. Nuk duhet të mendojmë për të kaluarën, por vetëm për këtë ndeshje. Locatelli qendërmbrojtës? Çdo vendim e marrim për të mirën e ekipit. Ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për tu përshtatur dhe di të bëjë shumë gjëra. Unë nuk shpik asgjë, ai luajti mbrojtës sepse ishte i bindur se mund t’ia dilte.
Asgjë tjetër nuk ka rëndësi për ne, përveç ndeshjes me Monzën. Duhet të jemi të përqendruar dhe të luajmë me vendosmëri të madhe.
Jam i kënaqur me punën e të gjithë lojtarëve të rinj. Duhet të kërkojmë më shumë dhe të përmirësohemi vazhdimisht. Gjithmonë punojmë për të qenë në maksimumin tonë. Të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer.
Nëse gjejmë përballë një ekip që do të mbrohet, duhet të dimë si të marrim hapësirat dhe të sulmojmë me cilësitë që kemi”, deklaroi Motta.
Ndeshja Monza-Juventus, do të luhet ditën e Diel, duke nisur nga ora 20:45. Bardhezinjtë vijnë pas katër barazimeve radhazi dhe synojnë të rikthehen te fitorja në kampionat, pasi mbajnë vendin e gjashtë me 28 pikë. /tvklan.al