Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody’s” në rishikimin e fundit ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” nga “e qëndrueshme”.
Perspektiva “pozitive” pasqyron mundësinë e një skenari më të mirë fiskal sesa pritej, i cili mund të rezultojë në një përmirësim të qëndrueshëm të forcës fiskale të Shqipërisë.
Agjencia vlerëson se raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u kthye në një trajektore të qëndrueshme rënëse në vitin 2022, duke kompensuar plotësisht rritjen e borxhit përgjatë periudhës 2019-2021.
Moody’s pret që raporti i borxhit ndaj PBB-së të ulet në 56.3% në vitin 2024 nga 59.2% në vitin 2023.
Moody’s pret që autoritetet të respektojnë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat përfshijnë një bilanc primar jo më të ulët se zero dhe një reduktim të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së çdo vit derisa të arrijë 45% të PBB-së.
Agjencia vlerëson se përmirësimi i konsiderueshëm i bilancit të llogarisë korrente kohët e fundit pritet të jetë strukturor, me vetëm deficite të vogla të parashikuara për vitet 2024-2025, të mbështetura nga bumi i turizmit dhe rritja e remitancave.
Agjencia është e opinionit se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme. Agjencia parashikon një rritje reale të PBB-së në 3.5% në vitin 2024.
Sipas vlerësimeve të agjencisë sistemi bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë.
Agjencia është e mendimit se profili i kreditit të Shqipërisë do të përfitojë gjithashtu nga zbatimi gradual i reformave të mëtejshme që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE. Ritmi i reformave ka të ngjarë të forcohet me përparimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Ndërkohë që sipas parashikimit të FMN bërë javën e shkuar, ekonomia vendase pritet të përshpejtohet në 3.3 % gjatë këtij viti dhe do mbetet në këto nivele deri në 2025-n, vit për të cilin parashikimi i FMN nuk shkon më shumë se 3.4 %.
Klan News