Prezantimi dhe analizimi i situatës ekonomike e financiare në vend, ishte në fokus të takimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko me një delegacion nga “Moody’s Analytics”.
Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive, pavarësisht sfidave të shumta dhe serioze me të cilat është përballur gjatë viteve të fundit.
Ndër të tjera Sejko theksoi se Shqipëria gëzon një rritje ekonomike solide, inflacion të ulët dhe nën kontroll, si dhe përmirësim të ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të vendit.
Gjithashtu gjate takimit me përfaqesuesit e “Moody’s Analytics”, Guvernatori shtoi se normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vendosë inflacionin nën kontroll.
Përfaqësuesit e Moody’s vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, si në terma të rritjes ekonomike, ashtu edhe në terma të forcimit të parametrave të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.
Tv Klan