Situatën me pensionet, kryeministri Edi Rama e lidh direkt me pagesën ose jo të sigurimeve shoqërore. Sipas tij, është vetëm një pjesë e shoqërisë që i paguan siç duhet detyrimet përkatëse.
“Disa i bien shkurt, thonë uljani rrogën deputetëve e jepjani pensionistëve. Kjo më duket si, edhe shkon me atmosferën e krijuar që ju e dini më mirë se çdokush, mirë që gjithë dita ju kalon duke u marë me nipa e mbesa, nuse, dhëndurë… Ju duhen dhe ata që u dalin në televizor dhe ua bëjnë ditën natë! Është absurd, ata që marrin rroga më të larta paguajnë më shumë për pensionet, ndërkohë që pjesa tjetër i shmangin, jemi aty ku ishim me energjinë elektrike. 50% paguan dhe për ata që s’paguajnë, kur ne morëm detyrën ishin në prag kolapsi total. Ne do sillemi njësoj si me ata që nuk paguanin energjinë elektrike, ndryshe si do dalë kjo?!”
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se indeksimi i pensionit me 4.1% është praktikë ligjore që ka shtuar 100 milion euro në Fondin e Përgjithshëm të Pensioneve.
“Jam shumë i keqardhur se kur u indeksua pensioni me 4.1% ju u përmbytët nga lumenjtë e helmit. Që i derdhin të gjithë ata që derdhin lot krokodili për ju, por ju keni jetuar mjaftueshmërisht gjatë për t’i njohur dhe ashtu siç i ndjeni me erë ata që janë vazhdim i atyre të vjetrave. Përpjekja për të manipuluar ndjenjat e pensionistëve duke u treguar përralla.”
Aktualisht, deklaroi ai, Fondit i mungojnë rreth 500 milion euro për të pasur pensione më të larta. Rama u ndal edhe ato që qeveria socialiste ka bërë ndër vite për këtë kategori.
“Kjo qeveri, që kur unë kam marrë besimin nga shumica e shqiptarëve ka bërë dy gjëra për pensionet. E para, ka bërë një reformë pensionesh në 2014-ën. Reforma u bë me thuajse çerek shekulli vonesë. E dyta që ka bërë kjo qeveri, ka thënë e ka shkruar se ne nuk mund të lëmë asnjë të moshuar pa pension. Edhe pse nuk figuron në asnjë lloj regjistri të sigurimeve shoqëroe dhe kryesisht është kategori e gjysheve që kanë qenë shtëpiake. Këtë e kanë shumë pak vende në Europë! Skema që ne kemi është mbulimi universal. Janë 1 miliard euro që çdo vit buxheti i nxjerr për pensionistët dhe shëndetësinë për të mbuluar gropën e madhe të viteve të kaluara, pa reforma e kur njerëzit dolën në pension nga 40 vjeç. E gjetëm Shqipërinë me një marrëveshje për shqiptarët që ikën jashtë, në 23 vjet. Nëse do kishin bërë marrëveshje si ne, nuk do ishim në këtë situatë.”
E.D/ tvklan.al