Sot opozita do të protestojë kundër qeverisë Rama, duke bllokuar disa rrugë në Tiranë dhe në 5 qytete të tjera.
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë për Klan News, ka thënë se bllokimi i rrugëve është një nga format e mosbindjes civile.
Paloka u shpreh se kjo formë mosbindje civile është një paralajmërim ndaj Qeverisë Rama për të reflektuar ndaj kërkesave të opozitës.
Në të kundërt, theksoi Edi Paloka, mosbindja civile do të intensifikohet duke bllokuar më shumë rrugë, porte dhe aeroporte, që sipas deputetit të PD, do të paralizojnë vendin.
“Këto protestat e para janë një lloj sinjalizmi, një lloj paralajmërimi. Sepse nëse bllokohen rrugët e vendit, porte, aeroporte për 2-3 ditë. E kuptoni se çfarë ndodh në vend? Ta bëjmë qeverinë të reagojë ndaj kërkesave tona pa shkuar në ekstreme që mund të jenë dhe të pakthyeshme. Nuk është se pres ndonjë reagim nga kjo qeveri, por këto janë format e mosbindjes civile që ne do t’i praktikojmë. Ta dinë që do bllokohet dhe aeroporti për atë periudhë. Bllokojnë kryesisht edhe gjithë pjesën që hyn e del në kryeqytet”.
Gazetarja Anjola Hamzaj i kujtoi deputetit Paloka se policia nuk e ka aprovuar bllokimin e rrugëve kombëtare pasi përbën vepër penale, por që mund të shkaktojë edhe irritim të pjesa tjetër e qytetarëve që nuk do të dalin në protestë.
“Qytetarët kanë pasur kohë boll të mërziten me bllokimet e rrugëve sepse 1 herë në ditë ja bllokon Erion Veliaj për qejfet e tij. Ku ishin këta qytetarët kur Rama i bllokoi me orë të tëra kur erdhi Erdogani? Po kur vjen Rama që bllokohen rrugët? Për këtë pjesën që mund të revoltohen bëjnë mirë të revoltohen kundër kësaj qeverie që i bën 1000 të zeza përditë”, theksoi Paloka.
Por përse qytetarët nuk ngrihen masivisht në protesta ndaj padrejtësive të qeverisë? Deputeti Paloka jep këtë përgjigje: “Një politikani nuk i takon të kritikojë popullin e vet, por për fat të keq këtu nëse nuk i ngre opozita nuk sheh reagim”.
Opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike për të organizuar zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
/tvklan.al