Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë mëngjesin e kësaj të hëne një informacion të përgjithshëm për gjendjen e akseve kombëtare si pasojë e motit. Kështu, ARRSH thotë se në rajonin Verior dhe Qendror reshjet kanë pushuar, por në rajonin Jugor kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit.
Në rajonin verior, qarqet ku qarkullohet me zinxhirë janë Kukës-Bushtricë, Bicaj-Bushtricë, Domaj-Daj Reç, Trebisht –Doganë, Ura e Cerenecit–Klenjë.
Në rajonin qendror, qarkullohet me zinxhirë në Lunik–Fushë Studë, Rrugët e Dajtit, Krujë-Sarisalltik, Elbasan-Gjinar,Gramsh-Kodovjat, Mollë-Grabovë,Kryqëzim Zëmblak-Goricë.
Në rajonin jugor vazhdon të jetë problematike segmenti Qafë Thanë-Dogana Qafë Thanë për shkak të mjeteve që kanë bllokuar rrugën. Në usekët e rrugës kalimi është me një korsi. Vijon puna edhe brenda territorit të doganës edhe në tokën neutral për pastrimin dhe kthimin në normalitet.
“Kushtëzuar nga reshjet dhe temperaturat e ulëta qarkullohet me goma dimërore ose zinxhirë në orët e paradites. Kontraktorët janë në terren për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimri ose zinxhirë, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore’, thotë ARRSH./tvklan.al