Moti i keq me reshje të dendura dëbore vijon të mbajë të bllokuara disa komuna në verilindje të vendit. Rajonet më të prekura janë ato të Peshkopisë, Bulqizës dhe Kukësit.

Në këto zona, gjatë natës sasia e reshjeve të dëborës u rrit me 25 cm, ndërsa temperaturat u ulën deri në -2 gradë. Në Lurë, Kala e Dodës, Selizhdë, Martanesh, Stëblevë e Xibë, trashësia e saj kaloi 1 metër.

Në këtë qark të bllokuara janë komunat: Kala e Dodës, Ostren, Trebisht dhe Martanesh. Ndërsa në Kukës, të izoluara mbeten komunat e Arrënit, Gryk Çajës, Zapodit dhe Lekbibaj.

Reshjet e dëborës kanë krijuar vështirësi për qarkullimin e mjeteve në disa akse nacionale dhe rurale.

Ministria e Transporteve njofton se në aksin Kukës-Shishtavec ka patur shembje të skarpatës që ka shkaktuar bllokimin e rrugës për 1 orë.

Në aksin Kurbnesh-Lurë trashësia e dëborës arriti në 1 metër, duke e bllokuar pjesërisht atë. Për hapjen e këtij aksi janë aktivizuar disa mjete borëpastruese.

Të pakalueshme po ashtu janë edhe akset: Qafa e Dregalicës-Stëblevë, Librazhd-Stëblevë dhe segmenti Fushë Arrëz-Iballë.

Sipas Policisë së Qarkullimit Rrugor, akset kombëtare janë të gjitha të hapura, por është i detyrueshëm kalimi me zinxhir.

Sipas Shërbimit Sinoptik të Ministrisë së Brendshme, moti i keq do të vijojë edhe në ditët e ardhshme.

Temperaturat e ulëta do të arrijnë kulmin të martën, kur termometri në zonat malore pritet të shënojë -8 gradë celsius./tvklan.al