Reshjet e shumta  në dy ditët e para të vitit 2010 kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit. Në rrethin e Kurbinit në Komunën e Fushë Kuqes nga batica e Detit Adriatik rreth 30 shtëpi janë përmbytur. Banorët janë detyruar të evakuojnë banesat në pritje të rënies së nivelit të ujit. Sipas tyre, uji ka vërshuar rreth orës 4 të mëngjesit, duke i zënë ata të papërgatitur.

Ndërkohë sipas autoriteteve, janë rreth një mijë hektarë toka të përmbytura. E vetmja mënyrë për të shmangur përmbytjet nga batica është ndërtimii mureve mbrojtëse.

Prurjet e mëdha të lumit Shkumbin për shkak të reshjeve të shiut kanë shembur argjinaturën mbrojtëse të urës në Bypass-in e Peqinit, duke vënë në rrezik superstradën Elbasan-Durrës. Parandalimi i gërryerjes është mjaft i vështirë, pasi gurët dhe blloqet e betonit fundosen në lumë.

Ura e Byipass-it të Peqinit u ndërtua  nga një firmë turke, e cila nuk kreu asnjë punim në argjinaturë. Fondet për argjinaturën u akorduan nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, por ajo nuk mundi t’i bëjë ballë ujrave të Shkumbinit.

Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në Durrës. Reshjet e nisura që prej mbrëmjes së djeshme kanë krijuar probleme. pasi sistemi i kanalizimeve nuk e ka përballuar.

Zona më problematike vazhdon të mbetet ajo e kryqëzimit prane stacionit të trenit, zona e Shkozetit, si edhe Plazhi. Era e fortë ka shkatuar probleme edhe në port, ku është pezulluar procesi i ngarkim-shkarkimit për afro dy orë. Gjithashtu është pezulluar dhe lundrimi i mjeteve të tonazhit të ulët, si dhe është ndaluar dalja në det e anijeve të peshkimit.

Tv Klan