80% e territorit të vendit është përfshirë që nga mbrëmja e të mërkurës nga reshje të dendura dëbore, trashësia e së cilës në disa zona ka arritur deri në 2 m.
Shkodra është zgjuar me rrugë të bllokuara, pemë të thyera dhe ngrica si pasojë e stuhisë së dëborës që përfshiu qytetin natën e shkuar. Era e fortë dëmtoi fidrat ajror të tensionit të mesëm, duke lënë pa energji të gjithë zonën.
Kritike ka qenë situata edhe në rajonin e Pukës ku dëbora e ka kaluar trashësinë 2 m. Rrugët nacionale Kukës-Dibër, Kukës-Has dhe Morinë-Kukës kalohen vetëm me zinxhir, ndërsa akset rurale janë të gjitha të bllokuara.
Një natë më parë një varg automjetesh me mbi 100 udhëtar u bllokuan në Qafën e Malit për më shumë se 5 orë. Njëri prej tyre rrëfeu për Tv Klan momentet e vështira pas ndërhyrjes së forcave të emergjencës.
Fadil Smalji: “Rreth orës 20:30 kemi mbërritur në Qafë Mali, rruga për shkak të reshjeve të borës ishte e bllokuar. Forcat e policisë bashkë me forcat e mirëmbajtjes së rrugëve ndërhynë me shpejtësi dhe bënë të mundur që rruga të zhbllokoheshe rreth orës 12.”
Në Peshkopi problem mbetet Qafa e Buallit dhe aksi Ura e Çerencit-Librazhd, ku është rekomanduar vetëm lëvizje e mjeteve të lehta. Reshjet e dëborës kanë zbardhur edhe malësinë e Krujës ku në komunën Nojë trashësia e saj ka arritur deri në 80 cm. Në shumë fshatra të kësaj zone mungon energjia elektrike .
Aksi Tiranë-Elbasan në Malësinë e Qafë Krrabës ka patur 24 orët e fundit bllokime të herë pas hershme
Problem mbetet edhe rruga e Qafë Thanës ku lejohet vetëm kalimi me zinxhir. Të bllokuara kanë qenë gjatë paradites Qafa e Llogarasë në Vlorë dhe Qafa e Muzinës në Gjirokastër.
Situata e krijuar është në monitorimin e shtabit të emergjencës në ministrinë e brendshme, ku theksohet se moti i keq nuk është shoqëruar me aksidente dhe vështirësi humanitare.
Sali Kelmendi: “Sot kanë ndërhyrë me dy mjete borëpastruese edhe ushtria të dislokuara, janë mjete që më parë janë dislokuar nga ushtria për këtë qëllim, mendojmë që me punën e bërë dhe kushtet e motit që paraqiten situata do të jetë në përmirësim.”/tvklan.al