Dimri ka mbërritur dhe vendi është mbërthyer nga temperatura të ulëta e reshje dëbore në lartësi. Për herë të parë pas të ngrohtit të pazakontë të vjeshtës, termometri ka rënë poshtë zeros në zona të ndryshme. Tirana do të zgjohet nën ngricë të hënën, e cila do të jetë edhe dita më e ftohtë deri më tani. Sot temperatura ka regjistruar 2 gradë, por sinoptikanët parashikojnë ulje të ndjeshme gjatë natës.
Tanja Porja: “Problematika më e madhe u përjetua gjatë mbrëmjes së të premtes duke gdhirë e shtuna që i gjithë territori u përfshi nga stuhi me rrufe, reshje shiu, pak reshje dëbore në zonat më malore dhe erë shumë e fortë. Sot ka pasur një rënie temperature në orët e mëngjesit, të martën pritet një rritje e temperaturave me 3-4 gradë mbase dhe më shumë dhe atmosfera do të mbetet jo stabël deri nga dita e mërkurë dhe e enjte.”
Peshkopia, Kukësi dhe Korça janë tre qytetet që e kanë ndier më shumë ndryshimin e motit, me 4 grade nën zero. Po kështu këto janë dhe zonat ku dimri rikthen problemet, në qarkullim dhe ngrohje. Sinoptikanët parashikojnë një dimër të vështirë, por temperaturat do të luhaten gjatë javës, me një tendencë në përmirësim. Gjithsesi, ky ndryshim i menjëhershëm i motit shënon edhe epilogun e një vjeshte të ngrohtë e të thatë. Një lajmi i mire përsa i përket situatës hidrike në kaskadën e Drinit, pasi reshjet nuk do të mungojnë. /tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami
Operator: Petrit Xhaferri
Montazh: Vilma Halilaj