Reshjet e rëna gjatë natës së mbrëmshme kanë krijuar probleme dhe përmbytje në disa fshatra të komunës së Bupqit në rrethin e Krujës. Në fshatrat Mallkuç, Bilaj, Mërçin dhe Mazhe është përmbytur një pjesë e madhe e sipërfaqes së tokës. Në pesë banesa të Bupqit reshjet kanë depërtuar brenda duke dëmtuar orenditë shtëpiake. Në këto fshatra kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje, ndërkohë që këto të orëve të fundit kanë bllokuar edhe kanalet kulluese të cilat nuk mund të thithin ujin.

Por moti i keq ka shkaktuar edhe probleme në zonat malore të vendit. Aktualisht në Qarkun e Dibrës bien reshje intensive bore. Të bllokuara janë komunat Kalaja e Dodës në rrethin e Dibrës dhe komunat Ostren dhe Trebisht në rrethin e Bulqizës. Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve.

Edhe në qafën e Kukësit komunat Arrën, Grykça dhe Zapod janë të bllokuara. Në Korçë situata paraqitet normale. Ka patur borë në segmentin rrugor Qukës-Qafë-Thanë, por Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka mbajtur në gatishmëri borëpastrueset të cilat nuk kanë lejuar për asnjë moment bllokimin e rrugës. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme./tvklan.al