Moti i keq është përplasur me furi në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar viktima dhe kaos.
Italia fqinje është mbërthyer nga dara e të ftohtit dhe temperaturat kanë rënë deri në -22 gradë celsius.
Qendra e vendit po përballet më ngrica, si pasojë e të cilave janë shkaktuar disa dhjetëra aksidente rrugore.
Në jug regjistrohen reshje të dendura shiu, ndërkohë që meteorologët thonë se i ftohti do të vazhdojë deri të mërkurën.
Edhe Gjermania po vuan pasojat e rënda të këtij dimri të acartë. I ftohti ka shkaktuar 5 viktima dhe kaos në trafikun hekurudhor, rrugor dhe ajror.
Në fundjavë, si pasojë e ngricave u regjistruan mbi 2100 aksidente rrugore që lanë 40 të plagosur.
Dhjetëra fluturime janë anuluar dhe pritet të urdhërohet edhe mbyllja e shkollave. Situatë e rënduar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Washington DC, Virginia dhe Karolinë e Veriut janë shtetet më të goditura nga acari. Në këto vende janë regjistruar 7 viktima.
Mbi 900 familje janë pa energji elektrike, ndërsa janë anuluar dhjetëra fluturime, si pasojë e shikueshmërisë së ulët./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle