Qindra mijëra amerikanë vazhdojnë të mbeten në errësirë pas stuhive të rënda të dëborës që kanë goditur me furi bregun lindor.

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në disa shtete ndërkohë që moti i keq i ka marrë jetën dy personave dhe ka shkaktuar qindra aksidente rrugore.

Stuhitë e mëdha të dëborës më të rëndat që vendi ka parë në dekada kanë paralizuar transportin hekurudhor, ajror dhe rrugor në Uashington, Filadelfia dhe Baltimorë, Delauere dhe Nju Jersi duke rrëzuar pemë mbi makina dhe shtëpi.

Mbi 70 cm dëborë ka rënë në këto shtete ndërkohë temperaturat kanë rënë nën 0. Autoritetet i kanë kërkuar popullatës që të mbyllet në shtëpi për 5 ditë, ndërkohë që supermarketet janë përballur me një fluks të madh njerëzish që duan të furnizohen para izolimit.

Parashikuesit e motit thonë se këto do të jenë reshjet më të mëdha të dëborës në Uashington që nga janari i vitit 1922.

Reshjet e dëborës bllokojnë Rumaninë

Moti i keq nuk po kursen as Evropën Juglindore. Disa zona në Rumani u mbuluan me të bardha, ndërkohë që stuhitë e dëborës po shkaktojnë kaos në transportin rrugor dhe hekurudhor.

Autostrada kryesore e Bukureshtit, bashkë me 150 rrugë të tjera, janë izoluar. Ekipet e shpëtimit dhe policia deri më tani kanë shpëtuar 70 pasagjerë, pasi makinat e tyre mbetën të bllokuara nga ngricat.

Dhjetëra fshatra vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike prej 2 ditësh. Meteorologët paralajmërojnë se reshjet e dëborës dhe temperaturat nën zero do të vazhdojnë edhe gjatë javës./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle