Emri i Ana Kallakut nuk është i panjohur për audiencën e sidomos pas pranisë së saj të përditshme në formatin e pasdites. Mbiemri i saj është ai që ka tërhequr edhe vëmendjen e njerëzve, pasi mendja shkon menjëherë te lidhja që ajo ka me Bes Kallakun, i cili është vëllai i saj.
Në “Shije Shtëpie”, programi i përditshëm i paradites në Tv Klan, gjatë intervistës së saj Ana tregon edhe për këtë marrëdhënie të imazhit, mbiemrit dhe prezencës së vëllait të saj në ekran. Pa e fshehur aspak krenarinë që ndien se është motra e tij, ajo pranon se mbiemri ka qenë një lehtësi, por edhe një përgjegjësi.
Katerina Trungu: Ka qenë kjo një gjë që edhe të ka bezdisur ndonjëherë, motra e Besit?
Ana Kallaku: Këtë gjë e kam ndierë dhe e kam folur jo në aspektin e bezdisjes, përkundrazi. Duke qenë se punoja në një ekran që ishte ekonomik, me një audiencë praktikisht të kufizuar, kjo e bënte që ndonjëherë teleshikuesit të mos e lidhnin shumë kollaj imazhin tim me ekranin. Thënë kjo, mua më njohën kur u mor vesh që motra e Besit, e një personazhi dhe një artisti aq të njohur dhe të talentuar, punonte në një ekran televiziv dhe askush nuk e dinte sepse as unë nuk e kisha përdorur asnjëherë, Besi nuk e kishte thënë.
Katerina Trungu: Plus ka edhe një natyrë tjetër, ti lajmet, nuk mundet ndoshta që në lajme të krijosh figurën e një artisti me dimensionin e famës.
Ana Kallaku: Padiskutim por unë nuk e kisha treguar shumë as jashtë ekranit, përtej kësaj dhe kjo i bëri njerëzit mbase të surprizuar deri diku duke menduar që vëllai në televizion, motra në televizion dhe nuk e dinim. Nuk më ka bezdisur, përkundrazi. Unë e kam thënë gjithmonë që është shumë krenari të tregoj që jam motra e Besit, ai ka shumë më shumë vite se unë në ekran, shumë më shumë vite përvojë, e njeh shumë më mirë këtë rrugëtim. Ka qenë më e lehtë për mua, jo më e vështirë. Por nga ana tjetër, tani që kalova në formatin e pasdites dhe do rrihesha shumë më shumë me ekranin dhe teleshikuesit, ishte më shumë barrë përgjegjësie për të treguar se isha aty jo pse isha motra e Besit./tvklan.al