Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e ka konfirmuar se ka refuzuar kërkesën e patriarkut serb Porfirije që të vizitojë Kosovën. Lajmi ishte bërë i ditur më herët gjatë ditës së hënë nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nuk do të lejohen vizita të tilla derisa “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes”.
Manastiri i Deçanit ka thënë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar vizitën e patriarkut Porfirije është i paarsyeshëm dhe i papranueshëm, si dhe është shkelje e të drejtave të popullit serb në Kosovë. “Ky veprim reflekton statusin e Kishës serbe dhe popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, është thënë në një reagim publik.
Petkoviç ka thënë se përfaqësuesi më i lartë i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije ishte nisur të hënën drejt Kosovës për të marrë pjesë në Kuvendin e Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës, ditën e martë.
“Në orën 01:30 pasdite, patriarku serb është dashur të kalojë pikën administrative të Merdares, për të shkuar në selinë shekullore të kryepeshpokëve dhe patriarkëve, mirëpo në momentin kur është dashur të kalojë pikën, ka ardhur ndalesa prej Prishtinës, me arsyetimin se kreu i Kishës Ortodokse Serbe nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviç.
Ai ka thënë Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat valide, e ka dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë.
“Patriarku serb Porfirije, gjithmonë, në çdo rast dhe vend, bën thirrje për paqe dhe bashkëjetesë të serbëve dhe shqiptarëve në zonën e Kosovës dhe Metohisë. Fatkeqësisht, këto janë vlera dhe mesazhe që askush në Prishtinë nuk i kupton”, ka thënë mes tjerash Petkoviç.
Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të shpallur në shkurt të vitit 2008 – prandaj dy vendet negociojnë në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për t’i normalizuar marrëdhëniet. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL