Janari duket se do të jetë muaj vendimtar për Juventusin, si në fushë ashtu edhe në merkato. Bardhezinjtë kanë një kalendari të vështirë, ku janë të planifikuara derbi, Atalanta, Milan dhe Napoli në kampionat, si dhe dy takime vendimtare në Champions League.
Në këtë situatë, te “Zonja e Vjetër” duhen përforcimet e nevojshme në skuadër, duke filluar nga reparti i mbrojtjes.
Raportimet e fundit nga Spanja dhe Italia, bëjnë të ditur se mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo është gjithnjë dhe më afër Juventusit. Mbrojtësi uruguaian ka dhënë miratimin për tu transferuar në Torino, por duhet gjetur një marrëveshje me Barcelonën. Këta të fundit synojnë të largojnë edhe mbrojtësin tjetër, Andreas Christensen.
Lëvizje pritet të ketë edhe në sulm. Milik vazhdon me problemet, ndërsa objektivi i parë për këtë repart është Joshua Zirkzee i Manchester United. Akordi mungon ende dhe kjo ka bërë sytë që italianët të shikojnë për objektiva të tjerë. Kolo Muani është opsioni më i mundshëm, me PSG-në që është e hapur edhe për një huazim.
Dusan Vlahovic mund të largohet nga skuadra. Bisedimet mes palëve për rinovimin e kontratës kanë ngecur dhe kjo pritet të sjellë “divorcin”. Gjasat janë që serbi të largohet në verë, por në rast të një oferte të kënaqshme në Janar, drejtuesit do e konsideronin shitjen e tij. /tvklan.al