Edhe pse i aktivizuar në minutën e 88 të lojës, Ernest Muçi shënon golin e parë në këtë sezon në Superligën turke me Beshiktashin.
Futbollisti i kombëtares shqiptare të futbollit realizoi në shtesë për bardhezinjtë, në fitoren 4-2 kundër Antaliasporit.
Trajneri Xhovani Van Bronckhorst vendosi që t’i jepte pak minuta hapësirë mesfushorit me tipare sulmuese, me këtë të fundit që la shenjë në suksesin e skuadrës.
Tekniku holandez ia ka bërë të qartë se nuk e ka në planet e tij 23-vjeçarin për këtë sezon. Kjo sepse pëlqen në rolin e mesfushorit me tipare sulmuese, blerjen e kësaj vere, Rafa Silva.
Në Turqi interes kanë klubet e Ejyp, Bodrum, Rizespor dhe Bashakshehir për Muçin. Në Premier Ligë, gara është midis Aston Vilës dhe Uest Hemit.
Nuk ngelen pas as klubet arabe, të cilat janë gati që të plotësojnë kërkesat financiare të gjigandëve turq, ndërsa fjalën e fundit do ta thotë 23-vjeçari.
Muçi u ble për 10 mln euro nga Legia e Varshavës, por vlera e kartonit të tij është rritur.
Klan News