Kohët e fundit jemi mësuar ta shohim Taulant Seferin të jetë protagonist me gol në Turqi. Megjithatë, këtë herë, sulmuesi shqiptar është bërë protagonist për keq me fanellën e Bodrumspor.
Futbollisti 27-vjeçar, u ndëshkua me karton të kuq, në sfidën ndaj Kasimpasa në transfertë. Lojtari ishte tejet agresiv nga fillimi, për të rifituar topin dhe kjo i kushtoi me dy kartonë të verdhë, në minutat 22 dhe 45+3, në pjesën e parë.
Pas daljes së Seferit me të kuq, ekipi i Bodrumspor, u detyrua të luajë të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak në fushë.
Ky dënim për shqiptarin, vjen pas dy golave radhazi që ai kishte shënuar në Superligën turke, aty ku është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm për Bodrumspor.
Seferi është ftuar nga trajneri Silvinjo për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Çekisë dhe ndaj Gjeorgjisë, ndërsa pritet të bashkohet me kuqezinjtë ditën e diel. /tvklan.al