Shkollat 9-vjeçare në të gjithë vendin do të zhvillojnë mësimin me dy turne. Kjo për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mbipopullimit të tyre.
Ndryshimi i sistemit arsimor nga tetë në nëntë vjeçar për këtë vit akademik ka nxjerrë në pah jo vetëm mungesën e klasave, por edhe nevojën për mësues.
Fatmir Bezati: “Janë marrë masa në të gjitha drejtoritë arsimore në të gjitha rrethet ku është problem ku numri i nxënësve është i lartë në shkollat përkatëse për t’i paraprirë këtyre me ndërtime të veçanta me qëllim që të ruhet pavarësisht shtimit të numrit të nxënësve të ruhet mësimi me dy turne. Ministria e Arsimit këtë vit do të punësojë dhe 700 mësues të tjerë për të përballuar shtesat që lindin si rezultat i kalimit në klasën së nëntë në arsimin e detyruar. Në ato gjimnaze në zonat rurale ku numri i nxënësve është i ulët mësuesit do të kalojnë arsimin e detyruar 9-vjeçar, gjë që do të thotë asnjë mësues i gjimnazit nuk do të ngelet pa punë”.
Çështja e ambienteve të shkollave konsiderohet e zgjidhur nga ana e Ministrisë së Arsimit.
Problematike mbetet vetëm zona e Kamzës ku bashkia nuk ka dorëzuar në kohë shkollën që po rikonstruktohet./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami