Të udhëtosh me tren në Shqipëri ka vite që nuk është as luks dhe as kënaqësi. Përveç linjës Tiranë-Durrës trenat e tjerë ofrojnë kushte të mjerueshme, ndërkohë që shpejtësia e lokomotivave shpeshherë nuk i kalon të 60 apo 70 kilometra në orë.
Ata udhëtarë që preferojnë linjat hekurudhore e shohin si zgjidhje të detyruar dhe e bëjnë për shkak të çmimit të ulët të biletës.
“Po të shkosh për shembull në Lezhë me një fugon do shumë para. Do 4 mijë lekë, kurse me trena shkon me 120 lekë.”
“Më e lirë dhe më përpara është siguria. Je më i sigurt me tren sesa me makinat e tjera.”
“Mizerje fare. Ky tren që shikoj unë sot më duket sikur po e shoh në Indi ose andej nga Iraku, nga ato sesa…Ç’është ky tren kaq i shkatërruar?”
Drejtuesit e hekurudhës thonë se shkak për amortizimin e shërbimit hekurudhor është mungesa e investimeve.
Zamir Ramadani: “Hekurudha shqiptare për herë të parë mbas 60 e ca vjetësh që ekzistencës së saj kalon në një sistem të ri organizimi, pra ne ndajmë në njësi biznesi më vete transportin e pasagjerit, ndajmë në njësi më vete biznesi transportin e mallit. Ne prapë nuk entuziazmohemi nga puna e deritanishme. Kuptohet që edhe masat për vitin e ardhshëm janë mjaft optimiste në drejtim të rritjes së përmirësimit të kushteve të lëvizjes së trenave në trevat shqiptare”.
Sipas statistikave zyrtare numri i udhëtarëve në linjat hekurudhore vetëm për një vit arrin në 2.2 milion.
Ashtu si gjithë sektorët e tjerë edhe hekurudhat pritet t’i nënshtrohen procesit të privatizimit, gjë që shihet si një mundësi për përmirësimin e shërbimit./tvklan.al