U premtua nga autoritetet, por nuk po aplikohet
Kjo është pamja e bar-restoranteve në dy prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit, vetëm pak minuta pas orës 23:00.
Të vaksinuar ose jo, klientët e tyre u nxorën jashtë me polici. Edhe personat e vaksinuar vazhdojnë t’u nënshtrohen të njëjtave kufizime si ata që s’pranojnë ta marrin vaksinën, ndonëse të parët janë të imunizuar.
Autoritetet premtuan se situata do të ndryshonte për ata që kishin marrë dy doza të vaksinave. Do të pajiseshin me Green Pass për t’u mundësuar që t’i ktheheshin jetës normale, një model ky që po e aplikojnë me sukses shumë vende të Bashkimit Europian e të rajonit.
Por deri tani, asgjë nuk është bërë. Veç qytetarëve, kjo situatë vijon të sjellë probleme për biznesin.
Kreu i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave thotë se pasaporta e gjelbër jo vetëm do të lejonte frymëmarrjen e biznesit, por edhe do të inkurajonte edhe skeptikët që të vaksinoheshin.
Tv Klan u interesua edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë, nëse ka një afat konkret se kur do të nisë aplikimi i pasaportës së gjelbër në Shqipëri.
Sipas zyrës së shtypit, ky vendim do të merret duke parë situatën epidemiologjike në vend, dhe se aktualisht një detyrim i tillë vlen vetëm për administratën dhe universitetet.
Në shumë vende të Europës, qytetarët e vaksinuar i janë kthyer normalitetit, çka po ndikon drejtpërdrejt në rimëkëmbjen e biznesit dhe ekonomisë dhe po inkurajon edhe skeptikët të vaksinohen, në mënyrë që të bëjnë një jetë normale, pa kufizime.
Tv Klan