Nxënësit e shkollave të Kukësit dhe Hasit prezantuan në një ekspozitë të rrallë, gazetat e faqosura me artikuj që synonin të luftonin lajmet e rreme dhe të ndryshonin perceptimin e publikut mbi fenomenet e emigracionit.
Në kuadër të programit “Rrugë Alternative”, të zbatuar nga British Council, Qendra për Progres Rinor mundësoi trajnimin e nxënësve të shkollave të Kukësit dhe Hasit mbi teknikat e shkrimeve të lajmeve dhe dallimin e lajmeve të rreme. Reporterët e rinj krijuan histori frymëzuese, të bazuara në përjetimet e familjarëve, miqve dhe shokëve të tyre, të përballur me fenomenin e emigracionit.
Ekspozita e titulluar “My story on the front page”, jo vetëm ndihmoi të rinjtë të zhvillojnë aftësi krijuese dhe të adresojnë problematikat e mprehta që shqetësojnë komunitetet e tyre, por shërbeu edhe si një hapësirë ndërgjegjësuese mbi çështjet e emigracionit në veri të vendit.
Ndërkohë programi “Rrugë Alternative”, paralelisht nisi trajnimet për ngritjen e Laboratorëve të Klubeve Multimediale. Mësuesit e gjimnazeve dhe shkollave profesionale nga Kukësi, Hasi, Tropoja, Malësia e Madhe, Klosi, Burreli, Bulqiza dhe Peshkopia nën drejtimin e regjisorëve të njohur, u njohën me programin multimedial si dhe morën në dorëzim edhe pajisjet për laboratoret e klubeve multimediale, të dedikuara për zhvillimin e aftësive multimediale të të rinjve.
Këto klube synojnë t’u ofrojnë të rinjve njohuri teknologjike dhe aftësi për të krijuar produkte multimediale per projekte që adresojnë sfida lokale dhe çështje të komunitetit si dhe hapësira ku kreativiteti dhe puna në grup kombinohen për të sjellë zgjidhje inovative.
Mësuesit pjesëmarrës shprehën rëndësinë e këtij programi duke vlerësuar se klubet multimediale do të jenë një mundësi e artë për nxënësit që të zhvillojnë kreativitetin, të mësojnë teknologjinë dhe të angazhohen për të sjellë ndryshime pozitive në komunitet.
Programi “Rrugë Alternative” është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së teknologjisë në arsim dhe fuqizimit të të rinjve në Shqipërinë e Veriut. Laboratorët e Klubeve Multimediale do të shërbejnë si platforma ku ideja, teknologjia dhe kreativiteti bashkohen për të krijuar projekte me ndikim në komunitet.