Prindërit protestuan sërish këtë të mërkurë para Ministrisë së Arsimit ku kërkuan më shumë siguri për fëmijët pas ngjarjes që ndodhi një muaj më parë pranë shkollës “Fan Noli”, ku humbi jetën një 14-vjeçar. Të pranishëm në këtë protestë ishin edhe prindërit e Martinit të ndjerë. Mamaja e tij, Florina Cani, foli para protestuesve ku kërkoi që të mbrohen të gjithë fëmijët e tjerë.

“Nuk kam fjalë, vetëm lot kam nga 30 ditë që u bënë sot vetëm qaj dhe rënkoj. Nuk kam fjalë. Ku janë nënat? Nuk jam vetëm nëna e Martinit sot, jam nënë e gjithë fëmijëve shqiptarë sot. Të mbrohen fëmijët shqiptarë. Martini iku, por të mbrohen të gjithë Martinët e tjerë. Zemra ime është e thyer, por Martinët e tjerë të mbrohen”, tha ajo.

Florina Cani kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit me çdo kusht dhe të drejtorisë së shkollës si dhe mësueses kujdestare.  

“Dua dorëheqjen e ministres me çdo kusht, drejtoria e shkollës, mësuesja kujdestare se nuk më tha asnjë fjalë. Ku ishte ajo që nuk më telefonoi mua? Ku ishte ajo që më thoshte në mbledhje Martini ishte fëmijë shembullor? Ku ishte ajo mësuese që më thoshte Martini është një fëmijë që mbledh gjithë të tjerët për të buzëqeshur. Ku ishte ajo që nuk më mori në telefon dhe më tha Martini është grindur me një fëmijë? Ishte një moshatar i Martinit, nuk po them asgjë për atë fëmijë, ishte më fëmijë se Martini im, por ama kishte parandalim për ata dy fëmijë. Nuk bënë asgjë për Martinin dhe Marion që nuk i ndanë. Kjo është thirrja ime. Ai që ka faj dua dorëheqje me çdo kusht, nga dera e shkollës deri në ministri. Dua drejtësi për Martinin dhe për Luisin sepse Luisi është fëmija im tani, është djali im tani”, tha ajo.

Florina Cani hodhi akuza ndaj ministres Manastirliu se nuk i ka ngushëlluar. Ajo theksoi se familja e saj po përjeton një vrasje të dyfishtë për faktin që askush nuk mban përgjegjësi.

“Unë isha një nënë si ju, si nuk pate zemër që të më ngushëlloje për Martinin dhe ti qeshe bashkë me tre të tjera që unë nuk i njoh në atë parlament. Turp të të vijë Ogerta, se qeshe për zemrën e Martinit tim që u ther. Turp të të vijë Ogerta Manastirliu. Unë jam një nënë si ti që sot dridhem para jush. Nuk erdhe me më thënë dhe ngushëllime familjes. Ka 30 ditë që nuk e shoh më Martinin, ka 30 ditë që qaj në shtratin e Martinit, ka 30 ditë që vëllai i vet nuk e shikon Martinin.

Mos lejoni askënd që të mësojë si Martini, askënd që të mësojë si fëmija im sepse jemi të pambrojtur në çdo cep të Shqipërisë. E çova në shkollë, nuk e çova as në luftë dhe as me u konfliktuar me shoqet dhe shokët e tij. E kam rritur me djersë atë fëmijë. Kam punuar në arsim 12 vite dhe jam dorëhequr vetëm për ta kulturuar fëmijën tim. Këtu qenka e pamundur. Unë nuk kam punuar, kam punuar 4 orë vetëm ti plotësoj disa kushte familjare, jo që të mos kujdesem për fëmijën tim. Jam një nënë me shumë ndërgjegje dhe nuk kam punuar me orë të tëra që mos ta shikoj çfarë po bën. Bëja biseda pafund me Martinin dhe çdo ditë që ikte i thosha kujdes biri im, se ka shumë njerëz që nuk ua ke besën. Jo o ma thoshte mos ki frikë. Ju lutem zbardhni ngjarjen përse ndodhi kjo. Fëmija im nuk ishte agresiv, e kam rritur me shumë dashuri atë fëmijë. Kishte ëndërr të bëhej futbollist i madh. Ia morën të dyja, ia morën ëndrrat djalit tim, ku do ta gjej unë drejtësinë këtu? Më thoni ju, ku do ta gjej? Pse nuk dalin? Pse nuk thonë një fjalë? Ka 30 ditë që qaj, rënkoj, kërkoj, por nuk ka, nuk di çfarë të bëj. Vetëm dorëheqje kërkoj të na qetësohet pak shpirti sepse nuk po gjej qetësi. Po na vrasin përditë edhe më shumë. Unë tani kam një vrasje të dyfishtë. Ogerta kam një vrasje të dyfishtë. Drejtoresha e shkollës, kam një vrasje të dyfishtë. Kjo është e papranueshme. Unë jam një nënë, por ama ju nuk jeni nëna sepse nuk paskeni gjak sepse morët gjakun e fëmijës tim”, tha Cani.

14 vjeçari u vra nga dora e një bashkëmoshatari pas një sherri në shkollën “Fan Noli”. Autori i dyshuar është arrestuar./tvklan.al