Në 12 nëntor të këtij viti emisioni “Stop”në Tv Klan transmetoi një ngjarje të ndodhur në fshatin e largët të Maliqit, Strelcë, ku një 70-vjeçar u arrestua me akuzën e ngacmimit seksual ndaj një vajze 10-vjeçare nga po i njëjti fshat. Iqmet Skënderi përfundoi në burgun e Drenovës për këtë akuzë, por sipas tij dhe opinionit të bashkëfshatarëve, kjo akuzë nuk mund të jetë e vërtetë.

Iqmeti, thonë ata që e njohin, prej më shumë se 25 vitesh shet në një dyqan në fshat ku familja e vajzës së vogël rezulton borxhlie. Vetë Iqmet Skënderi tregoi nga burgu i Drenovës se dy ditë para se të akuzohej, ai pati një konflikt me mamanë e vajzës 10-vjeçare, Marselën, pasi kjo e fundit i kërkonte shpesh telefonin për të denoncuar të shoqin në polici. Atë ditë Iqmeti nuk ia dha telefonin dhe e përzuri nga dyqani.

Dy ditë më pas Marsela sajoi historinë e ngacmimit pasi siç pranon vetë, zotëria nuk i shërbeu vajzës. Pas një ore Iqmeti u arrestua. Sipas të dhënave në dosjen hetimore akuza ndaj Iqmetit është vetëm deklarata e vajzës dhe asnjë provë tjetër apo një hetim i thelluar që do të çonte në zbardhjen e të vërtetës.

Pas transmetimit, Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar masën e sigurisë nga ajo me burg në arrest shtëpie.Tani pritet të gjykohet çështja në themel që Iqmet Skënderi të lirohet nga kjo akuzë e montuar.

Jam pak më lehtë. Në burg ishte një gjë shumë e vështirë, ndihesha shumë keq për akuzën dhe pastaj më thanë shokët që e dha ’Stop’-i, u çlirova, ndieva që ishte një gjë e vërtetë. Falenderoj  ‘Stop’-in për këtë emision karshi meje”, shprehet i moshuari./tvklan.al