Presidenti në detyrë i Shteteve të Bashkuara nuk është i shqetësuar si ai i zgjedhur, nga vala e dhjetëra dronëve misteriozë që janë parë e filmuar mbi qiejt e zonave verilindore të vendit ditët e fundit.

Teksa linte Shtëpinë e Bardhë, për të nisur pushimet e fundit të fundvitit si president, Joe Biden, garantoi gazetarët se objektet fluturuese nuk kanë asnjë rrezik.

“Duket se nuk ka asgjë të keqe. Janë duke u bërë kontrolle, por mendoj se nuk ka dronë të paautorizuar. Besoj se e nisi njëri dhe po e bëjnë edhe shumë të tjerë, por nuk ka ndonjë rrezik”.

Javët e fundit, banorët e New Jersey, New York, e disa shteteve të tjera federale amerikane kanë njoftuar dhe filmuar mbi 5 mijë raste të fluturimit të dronëve misteriozë.

Ato kanë fluturuar madje edhe mbi objekte ushtarake amerikane brenda e jashtë vendit. Rasti ka ngjallur shumë teori konspirative, ndërsa presidenti i zgjedhur Donald Trump kërkoi që autorët të dalin vetë publikisht për të dhënë sqarime. Në të kundër ushtria do t’i qëllojë.

Tv Klan