Prej orës 12:30 vijon seanca për rivlerësim të masës në GJKKO ndaj ish-minisrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, Beqaj ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij para trupës gjykuese. Ai madje ka kërkuar masë më të butë sigurie duke ofruar garanci pasurore me vlerë 50 mijë euro.
“Nuk janë shkelur rregullat e BE që njihen si prag në gjuhën juridike dhe s’është përcaktuar cili nen është shkelur nga zoti Beqaj. Nuk është lëshuar asnjë faturë fiktive, ish-ministri nuk ka lidhje me restorantin”, janë pretendimet e palës mbrojtje.
Në seancë i pranishëm është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, ndërkohë që verdikti do jepet nga gjyqtarja Rudina Palloi.
Kujtojmë se ish-ministri u arrestua dy ditë më parë së bashku me dy bashkëpunëtorë pasi akuzohen për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Çështja për abuzimet me fondet e BE-së u zbulua nga hetimi i koncesionit të Check-up.
SPAK njofton zyrtarisht së ka gjetur prova se Ilir Beqaj, në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra Euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri përmes Restorant “Gzona” në Tiranë.
/tvklan.al