Në sallën e mbushur me emigrantë, kryeministri u ndërpre tre herë nga thirrjet “Rama ik”. Ndaj që në nisje të fjalës së tij ai i akuzoi kundërshtarët politikë në Tiranë si nxitës të akteve antishqiptare.

“Të nxitur nga të verbrit në Tiranë, kishin marrë me vete librin e shtëpisë sonë dhe e bërtisnin aty përballë. Këtu erdhi për një takim partia tjetër, ajo parti që nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj dhe kishin çuar një ftesë për ambasadorin tonë. Ktheu përgjigje se ishte i gatshëm të shkonte në takim dhe pastaj ata nuk u bënë më të gjallë”, tha Rama.

Gjatë u mor me kundërshtarët e tij politikë, të cilët jo vetëm i bëri përgjegjës për antiprotestën e zhvilluar në Londër, por edhe për tubimin e mbajtur pak ditë më parë lidhur me vrasjen e një 14-vjeçari nga një bashkëmoshatar i tij, nxënës në shkollën “Fan Noli”.

“Askush nuk pyet më për viktimën, as për familjen e viktimës, as për dhimbjen e të afërmve, por kush të mundet përpiqet ta tërheqë opinionin publik në ato kanale duke ushqyer urrejtje, nxitur ndasi, duke e përzier ushqimin e të vërtetës me helmin e gjithëfarë gënjeshtrave dhe duke tjerrë me ditë e me netë lloj-lloj marifetesh dhe protestash kundër qeverisë për ta kthyer viktimën në mish për topat e interesave të politikës dhe të biznesit mediatik”, tha Rama.

Edi Rama iu kërkoi votën shqiptarëve që jetojnë në Britaninë e Madhe për Partinë Socialiste në zgjedhjet e Majit 2025, jo si kontribut për zgjedhjet e radhës, por si kontribut përfundimtar për ta çuar vendin në BE. Rama e sheh votën e diasporës si kontribut për vetë opozitën që thotë se është marrë peng nga liderët e saj për interesa privatë.

“Edhe flamuri ynë kombëtar duhet dhe do të ngrihet i barabartë mes të barabartëve. Përballja e ardhshme elektorale nuk do të jetë vetëm vendimtare, por do të jetë përfundimtare, pa kthim të mundshëm mbrapa për shtetbërjen dhe progresin edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe nga pengmarrja për hallet e disa udhëheqësve të diskretituar nga historia”, tha Rama.

Akuzat për kundërshtarët e tij politikë u pasuan nga lajmet e mira për emigrantët që prej vitesh jetojnë në Britani, të regjistruar si refugjatë politikë kosovarë.

“Ne do ta ndërmarrim së shpejti një nismë ligjore për regjistrimin pa telashe në Shqipëri të të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë këtu në Angli dhe po ashtu do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike pranë qeverisë së re britanike për t’ju mundësuar të gjithëve ju që keni një emër nga ajo kohë, rikthimin e emrit të babës dhe të nënës, në të gjitha rastet kur ju e dëshironi këtë”, tha Rama.

Bashkëkombasit e tij i cilësoi kontributorë në ekonominë britanike, duke sjellë në vëmendje kritikat e ish-ministres së Brendshme Braverman.

“Zonja na quajti zaptues a thua kishim ardhur për të kërkuar kokën dhe kurorën e mbretëreshës dhe jo për të punuar me kokën ulur dhe me kurorën e djersës rreth ballit duke ndihmuar edhe ekonominë britanike”, shtoi Rama.

Emigrantët i ftoi të kthehen në atdhe për të investuar në agroturizëm, duke i njohur me nismën e qeverisë për “Paketën e maleve”.

“Investo tek ajo shtëpi, investo tek ai truall kursimet e tua. Të ardhurat që mund të marrësh, mund të vazhdosh të rrish edhe këtu, do jenë shumë më të larta se të ardhurat që do të të mbeten në fund të muajit nga dy palë punë këtu”, tha Rama.

Tv Klan